Politologja Donika Emini ka komentuar paraqitjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Samitin për Planin e Rritjes së Bashkimit Evropian, i cili u mbajt në Tiranë. Duke folur në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ajo tha se qëndrimet e Kurtit, përfshirë deklaratën se është “hera e fundit” që i kërkonte BE-së heqjen e masave ndaj Kosovës, janë të paqëndrueshme dhe joefektive.
Sipas Eminit, Kosova nuk mund t’i lëshojë ultimatume Bashkimit Evropian, veçanërisht kur vetë institucionet e vendit nuk kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm, si votimi i Planit të Rritjes, ndonëse kanë pasur një vit kohë për ta bërë këtë. Ajo e quajti paradoksale retorikën e klasës politike në Kosovë, e cila njëkohësisht kritikon BE-në për masat, ndërsa nuk ka aprovuar një program që do t’i siguronte vendit fonde dhe trajtim të barabartë me shtetet e tjera të rajonit.
Emini theksoi se Plani i Rritjes ishte kërkuar vetë nga Kosova vitin e kaluar dhe se vendi kishte përgatitur një draft të avancuar reformash, por ende nuk e ka miratuar atë në mënyrë formale.
Ajo gjithashtu komentoi deklaratën e komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke theksuar se toni i saj i ashpër është tregues i qartë se durimi në Bruksel është drejt fundit.
“Sjellja e komisioneres Kos, e njohur për qasjen e saj të drejtpërdrejtë, tregon se BE-ja ka humbur durimin me Kosovën. Adresimi i saj i drejtpërdrejtë ndaj Bosnjës dhe Kosovës për herë të parë është sinjal i fortë i pakënaqësisë në rritje,” u shpreh Emini.

