Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross, me të cilët ka diskutuar zhvillimet e fundit në vend, sfidat e sigurisë dhe forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas komunikatës së Presidencës, Osmani ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e afërt në kuadër të Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme bipartizane të SHBA-ve ndaj Kosovës. Ajo ka theksuar se mbështetja amerikane ka qenë vendimtare në rrugëtimin e vendit drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.
Presidentja ka nënvizuar se Kosova mbetet një nga vendet më pro-amerikane në botë dhe se është thellësisht e përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të lidhjeve strategjike me Shtetet e Bashkuara. Ajo ka ritheksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik, i rëndësishëm për paqen në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë.
Në takim është diskutuar edhe për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, ku Osmani ka theksuar se Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë kontribuon përkrah trupave amerikane në misione ndërkombëtare. Ajo ka përmendur investimet e shtetit në mbrojtje, duke theksuar se Kosova tashmë ndan 2% të GDP-së për këtë sektor, me planin që buxheti të dyfishohet në vitet në vijim.
Lidhur me sfidat e sigurisë, Osmani ka theksuar rëndësinë e pranisë amerikane në kuadër të KFOR-it, duke e cilësuar atë si garanci kyçe për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon. Ajo ka folur edhe për kërcënimet që vijnë nga Serbia, veçanërisht pas sulmit të armatosur në Banjskë, duke akuzuar Beogradin se ende nuk ka vënë para drejtësisë autorët e ngjarjes.
Sipas Presidencës, Osmani ka theksuar se llogaridhënia për sulmet ndaj KFOR-it dhe aktet e tjera të dhunës është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe parandalimin e episodeve të ngjashme në të ardhmen.

