Duke filluar nga dita e sotme (24 nëntor), do të nisin disa afate të aktiviteteve zgjedhore që kanë të bëjnë me subjektet politike për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.
Formimi i koalicioneve nga partitë politike, aplikimi për certifikim të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje, si dhe dorëzimi i listës së kandidatëve për deputetë, janë disa nga aktivitetet kryesore zgjedhore që, sipas KQZ-së, do të zhvillohen në afate të ndryshme.
Aplikimi për certifikim të subjekteve politike: 24 nëntor – 30 nëntor
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar për Gazeta Express se subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të plotësojnë online formularin e aplikimit për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhje.
“Duke filluar nga data 24 nëntor dhe deri më 30 nëntor, subjektet duhet ta dorëzojnë në KQZ, respektivisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar, aplikimin për certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Formulari, i cili është i ngjashëm me të proceseve të kaluara zgjedhore, është i vendosur në platformën elektronike të KQZ-së dhe i njëjti duhet të plotësohet online”, tha Elezi.
Dorëzimi i listave me kandidatët për deputetë: 24 nëntor – 7 dhjetor
Gjithashtu, duke filluar nga data 24 nëntor, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) mund të dorëzojnë listën e tyre me emrat e kandidatëve për deputetë. Për përgatitjen e këtyre listave, KQZ u ka dhënë subjekteve politike afat dyjavor.
“Duke filluar nga 24 nëntori dhe deri më 7 dhjetor 2025, subjektet politike duhet të dorëzojnë në KQZ listën me emrat e kandidatëve për deputetë që kërkojnë të certifikohen për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme. Ky afat shënon një moment vendimtar në procesin zgjedhor, pasi pikërisht në këtë periudhë subjektet politike do të formalizojnë kandidatët me të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e funddhjetorit”, tha Elezi.
Deklarimi i koalicioneve dhe mospjesëmarrjes në zgjedhje: 24 nëntor – 30 nëntor
Brenda kësaj jave, partitë politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ-në për këtë mënyrë të përfaqësimit në garën elektorale.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në KQZ, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme përmes koalicionit, duhet ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 nëntor 2025”, ka thënë Elezi.
Elezi ka theksuar se partia politike që vendos të bëhet pjesë e një koalicioni ka detyrimin të respektojë rregullat e tij.
“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike. Partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar, deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ-së. Gjithashtu, partia politike që është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo si subjekt i veçantë në të njëjtat zgjedhje”, tha Elezi.
Gjithashtu, deri më 30 nëntor 2025 është afati për partitë politike që ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën, se nuk duan të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje.

