Manchester City mund të luajë një rol vendimtar në të ardhmen e sulmuesit të Bournemouth, Antoine Semenyo, një prej objektivave kryesorë të Liverpoolit për merkaton e dimrit.
Sipas burimeve të “Football Insider”, kontrata pesëvjeçare që Semenyo firmosi verën e kaluar përfshin një klauzolë lirimi, e cila do të aktivizohet në gjysmën e parë të afatit kalimtar të janarit. Kjo klauzolë vlerësohet të jetë rreth 60 milionë funte, duke e bërë sulmuesin ganian një opsion të arritshëm për klubet e mëdha të Premier League.
Liverpooli ka shprehur prej kohësh interes për 25-vjeçarin, i cili ka shënuar gjashtë gola këtë sezon për Bournemouth. Burime pranë lojtarit sugjerojnë se Semenyo është i hapur ndaj një transferimi në “Anfield”, ku kampionët aktualë të Premier League po kërkojnë të forcojnë repartin ofensiv.
Megjithatë, situata ndërlikohet nga Manchester City. Trajneri Pep Guardiola është një admirues i madh i Semenyos dhe e ka cilësuar atë si “një lojtar të jashtëzakonshëm” përpara përballjes me Bournemouth në Etihad, në fillim të këtij muaji.
Guardiola raportohet se është gjithashtu i shqetësuar për mungesën e një mesfushori që kontribuon rregullisht me gola dhe për varësinë e madhe të ekipit nga Erling Haaland. Kjo mund ta shtyjë Cityn të hyjë seriozisht në garë për Semenyon.
Aktualisht, Haaland kryeson listën e golashënuesve të klubit me 19 gola në të gjitha garat, ndërsa Phil Foden ndjek me katër. Jeremy Doku dhe Rayan Cherki kanë shënuar vetëm nga tre gola, duke nxjerrë në pah nevojën e Cityt për më shumë efikasitet ofensiv nga linjat e mesit.
Semenyo pritet të jetë një nga emrat më të nxehtë të merkatos së janarit, me Liverpoolin dhe Manchester Cityn që mund të përfshihen në një garë të drejtpërdrejtë për firmën e tij.

