Presidenti francez Emmanuel Macron pritet të njoftojë të enjten se Franca do të rivendosë shërbimin ushtarak vullnetar mes kërcënimit në rritje rus në Europë, raporton AFP, duke cituar burime.
Përveçse vullnetar, programi do të jetë i paguar dhe do të zgjasë 10 muaj, sipas raportimeve, pwr tw cilat The Guardian tha se nuk i ka verifikuar ende në mënyrë të pavarur. Shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Francë u shfuqizua në vitin 1996”.
Nuk janë zbuluar publikisht detaje zyrtare mbi shërbimin e ri ushtarak, por raportohet se Macron do ta njoftojë ndryshimin gjatë një vizite në një brigadë këmbësorie në Francën juglindore gjatë javës.
Kjo vjen pasi Gjenerali Fabien Mandon, i cili mori detyrën si shef i shtabit të ushtrisë në shtator, u kritikua ashpër kur paralajmëroi javën e kaluar se Franca rrezikonte “të humbiste fëmijët e saj” në një luftë të mundshme me Rusinë.
Ai sugjeroi që dobësia më e madhe e Francës në botën e sotme të paqëndrueshme ishte mungesa e vullnetit për të luftuar dhe tha se Rusia po “përgatitet për një përballje deri në vitin 2030 me vendet tona”.
Macron, një anëtar kryesor i “koalicionit të të vullnetshmëve” (një grup vendesh që kanë shprehur angazhimin për të mbrojtur një marrëveshje paqeje në Ukrainë) paralajmëroi se Franca nuk duhet të tregojë “dobësi” përballë kërcënimit që paraqet Rusia.
“Nëse duam të mbrojmë veten, ne francezët – që është shqetësimi im i vetëm – duhet të tregojmë se nuk jemi të dobët kundër fuqisë që na kërcënon më shumë”, tha ai.

