Komiteti Olimpik i Kosovës ka njoftuar se presidenti i tij, Ismet Krasniqi, ka pritur në takim përfaqësuesin rezident të UNDP-së, Nuno Queiros, i shoqëruar nga Valbona Bogujevca, asistente dhe koordinatore e programit.
Gjatë bisedës, palët janë fokusuar te mundësitë e bashkëpunimit për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke theksuar rëndësinë e përfshirjes së vullnetarëve si një komponent thelbësor i eventit. Po ashtu, u diskutua edhe për realizimin e projekteve të tjera madhore, duke u mbështetur në përvojën e pasur të UNDP-së në fushën e zhvillimit dhe menaxhimit të programeve.
Presidenti Krasniqi, së bashku me udhëheqësen e Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Rejhan Halili, shprehu përkushtimin e KOK-ut për thellimin e bashkëpunimit me UNDP-në, në funksion të avancimit të sportit në vend dhe mbështetjes së sportistëve kosovarë.

