BW/ Në Europë dorëhiqen për një sanduiç, në Shqipëri heshtet për akuza të rënda

by Nexhat

Në konferencën për shtyp me Komisioneren Evropiane Marta Kos pak ditë më parë, kryeministri Rama theksoi se gjykata qoftë edhe ajo speciale, nuk mund të ndërhyjë brutalisht në pushtetin ekzekutiv, duke marrë kompetencat e presidentit, kryeministrit dhe parlamentit dhe argumentoi se në asnjë vend të BE nuk ndodh që funksionarët të pezullohen nga detyra vetëm për akuza, qëndrim ky që bie në kontrast të hapur me praktikat dhe standardet evropiane.

Në shumë vende të Bashkimit Evropian, dorëheqja, pezullimi ose shkarkimi i një ministri nga detyra ndodh jo vetëm pas një vendimi gjyqësor, por edhe kur lind dyshimi i arsyeshëm për keqpërdorim detyre, konflikt interesi apo sjellje të papranueshme në shoqëri.

banner

Shembujt janë të shumtë, por po përmendim vetëm disa prej tyre. Në Francë, ministri i Buxhetit Jerome Cahuzac dha dorëheqjen sapo nisi hetim ndaj tij për fshehje të të ardhurave, ndërsa në Suedi, Maria Borelius dha dorëheqjen për shpenzime të vogla familjare, që u konsideruan të papranueshme. Në Britani të Madhe, deputetë dhe ministra u hetuan dhe madje u dënuan për shpenzime minimale, përfshirë sanduiçe, kafe ose qese plehrash, ndërsa në Bullgari, një zëvendësministre dha dorëheqjen për një biletë avioni të shtrenjtë, një shpenzim që në kontekste të tjera do të dukej simbolik.

Por të gjitha i bashkon një emërues; në këto raste, nuk ka rëndësi madhësia e shkeljes, por parimi i integritetit të funksionit publik

Edhe pse akuzat ndaj Ballukut lidhen me një shkelje shumë më të rëndë se shpenzimet minimale evropiane, nuk është marrë asnjë masë shkarkimi nga kryeministri apo dorëheqje nga vetë e pandehura.

Rasti “Balluku” nuk është thjesht një episod individual. Ai është një pasqyrë e qartë e një hendeku të madh  mes standardeve të Bashkimit Evropian dhe praktikave politike në Shqipëri. Deri sa të vendosen rregulla të qarta dhe të pakompromis për përgjegjësinë politike, Shqipëria do të mbetet pas Evropës, jo për shkak të mungesës së ligjit, por për shkak të mungesës së kulturës së respektit ndaj qytetarit dhe detyrës publike/BalkanWeb

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy