Sindikata e RTK-së paralajmëron bojkot total të ngjarjeve politike: “Tre muaj pa paga, gjendja ka arritur në skaj”

by engel

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka reaguar ashpër ndaj situatës së krijuar në transmetuesin publik, ku punëtorët prej tre muajsh nuk kanë marrë pagat. Përmes një deklarate zyrtare, Sindikata ka bërë të ditur se institucionet po i injorojnë dhe se gjendja e punëtorëve, ashtu edhe e vetë RTK-së, është rënduar në mënyrë të papranueshme.

“Sindikata nuk do ta ndalë grevën. Kërkojmë mbështetje të plotë nga të gjithë kolegët në veprimet tona të drejta dhe ligjore. Brenda kësaj jave do të dalim me një qëndrim për bojkot të plotë të punës, sepse jemi të shtyrë nga mosveprimi e Qeverisë së Kosovës, të cilës i kemi kërkuar dhjetëra herë të gjejë një zgjidhje”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

banner

Përfaqësuesit sindikalë kanë kritikuar qeverinë për mungesën e mbështetjes dhe mospërmbushjen e detyrimeve financiare, duke ngritur pyetjen se si sigurohen mjete për zgjedhje, por jo për pagat e rreth 700 familjeve që varen nga RTK-ja.
“Si mund të gjenden para për zgjedhje, e jo për bukën e gojës së 700 familjeve? Kjo është e papranueshme”, theksohet në komunikatë.

Sindikata i ka bërë thirrje qeverisë që urgjentisht të zgjidhë çështjen e alokimit të buxhetit dhe të mos e detyrojë RTK-në të ndërmarrë hapa të padëshiruar. Ajo ka rikujtuar se ligji për financimin e pavarur të RTK-së dhe çështja e pronës duhet të miratohen pa vonesë sapo të konstituohet legjislatura e re.

“Në vend se të rritet buxheti dhe të përmirësohet zhvillimi i transmetuesit publik, qytetarët duhet ta dinë se jo vetëm që nuk kemi marrë rritjen 0.7% nga buxheti nacional, por na janë hequr edhe 2.2 milionë euro nga buxheti – që edhe ashtu është më i vogli në rajon për televizionet publike”, thekson Sindikata, duke shtuar se greva do të vazhdojë pa ndërprerje.

Në fund, Sindikata ka paralajmëruar masa edhe më të ashpra nëse nuk ndërhyhet menjëherë.
“Në fund të kësaj jave do të marrim vendim për bojkot total të ngjarjeve me karakter politik dhe mosmbulim të fushatës elektorale. Përmes kësaj letre kërkojmë zyrtarisht nga menaxhmenti që të ndërpresë mbulimin e ngjarjeve politike dhe të fushatës. Nëse nuk merret një vendim në kohë, ne do të dalim shumë shpejt me qëndrimin tonë”, thuhet në deklaratë.

Sindikata insiston se transmetuesi publik ka nevojë për një zgjidhje të përhershme dhe të qëndrueshme financiare, në mënyrë që të mund të vazhdojë misionin e tij si mediumi i vetëm publik në vend.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy