Federata e Futbollit të Sllovakisë ka vendosur përfundimisht stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja gjysmëfinale e Kualifikuesve të Kupës së Botës 2026 mes Sllovakisë dhe Kosovës. Përballja e rëndësishme do të luhet në kryeqytet, në stadiumin “Tehelne Pole” në Bratislavë, më 26 mars 2026, duke nisur nga ora 20:45.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Sllovake të Futbollit, Peter Palencik, ka zbuluar arsyet që çuan në këtë vendim. Ai konfirmoi se tre stadiume ishin në garë, përfshirë ato në Bratislavë, Trnavë dhe Kosice, por analiza e detajuar i dha epërsinë impiantit modern të kryeqytetit, i cili ka kapacitet prej rreth 22 mijë ulëseve.
“Ne morëm në konsideratë stadiumet në Bratislavë, Trnavë dhe Kosice. U analizuan të gjitha rrethanat, kushtet, kapaciteti, logjistika për të dy ekipet dhe mundësia për ndërhyrje në raste të paparashikuara. Në fund, vendosëm që ndeshja me Kosovën të zhvillohet në Bratislavë dhe këtë informacion ia përcollëm edhe UEFA-s”, ka deklaruar Palencik për faqen zyrtare të Federatës.
Ai theksoi se përzgjedhja e “Tehelne Pole” është bërë me qëllimin që të ofrohen kushtet më të mira të mundshme për zhvillimin e një ndeshjeje të nivelit të tillë.
Ndërkohë, Federata e Futbollit të Sllovakisë ka njoftuar se së shpejti do të publikohen edhe çmimet e biletave, të cilat do të jenë të disponueshme në faqen e tyre zyrtare.

