Asambleja e Kryeqytetit ka miratuar sot bartjen e të hyrave të vitit 2024 në vlerë prej 28 milionë euro, ndërsa kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kërkuar nga Ministria e Financave që të zbatojë pa vonesë zotimet për alokimin e mjeteve.
Rama u shpreh se megjithëse buxheti është votuar në Asamble, një shumë prej 35 milionë eurosh – përfshirë 25 milionë euro të hyrave vetanake dhe 10 milionë euro grant qeveritar – vazhdon të mbetet e bllokuar nga ministri në detyrë. Ai theksoi se këto fonde nuk kërkojnë asnjë procedurë shtesë nga Asambleja, por vetëm vullnetin institucional për t’u miratuar.
“Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot,” shkroi Rama, duke shtuar se zhbllokimi i fondeve është thelbësor për realizimin e projekteve kapitale dhe funksionimin normal të kryeqytetit.
Sipas tij, mbajtja pezull e mjeteve po e pengon zhvillimin e Prishtinës dhe po vonon investimet e planifikuara për vitin 2024. Kryetari i Prishtinës ka bërë thirrje për veprime të shpejta nga ana e ministrisë, në mënyrë që qyteti të mos përballet me vonesa të mëtejshme buxhetore dhe operative.

