LDK akuzon Vetëvendosjen për “kriza të qëllimshme” në Prishtinë

by engel

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka denoncuar ashpër fushatën e fundit të Vetëvendosjes, duke e akuzuar këtë të fundit për mashtrim politik dhe përpjekje për t’i atribuar vetes merita për një proces që sipas LDK-së e kanë bllokuar tri herë.

Sipas LDK-së, dokumentet e seancave të Asamblesë së Prishtinës nga 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025 tregojnë qartë se bartja e të hyrave vetanake ka dështuar për shkak të votës kundër nga asambleistët e Vetëvendosjes. Ky veprim, sipas partisë opozitare, ka paralizuar pagesat për shërbimet esenciale dhe ka dëmtuar funksionimin e kryeqytetit.

banner

“Pas muajsh bllokadash të qëllimshme, Vetëvendosja del sot dhe pretendon se e ka ‘zhbllokuar’ vetveten. Ky është modeli i tyre politik: krijo krizë, godit qytetin, pastaj shpall veten hero”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

LDK thekson se ka punuar vazhdimisht për të mbrojtur stabilitetin financiar të Prishtinës, ndërsa VV, sipas tyre, ka vepruar kundër interesit të qytetit për të shërbyer “interesave të veta partiake”. Sipas LDK-së, nuk ekziston asnjë dokument, votë apo procesverbal që mbështet narrativën e Vetëvendosjes, përkundrazi, çdo provë tregon për bllokimin e hapur nga kjo parti.

“Qytetarët e Prishtinës duhet ta dinë: ata që sot dalin me fjalë të mëdha kanë qenë pengmarrësit e kryeqytetit. Ata që shkaktuan vonesa dhe rreziqe financiare tani përpiqen të fshihen pas pështjellimit propagandistik”, theksohet në komunikatë.

LDK njofton se do të vazhdojë të mbrojë interesin e qytetit me vendosmëri dhe integritet, duke mos lejuar që Prishtina të bjerë pre e “taktikave të rrezikshme” të Lëvizjes Vetëvendosje.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy