Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar sot një sërë takimesh zyrtare në Uashington, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Vizita e tij përfshiu takime me Charles McLaughlin, Ndihmës Special i Presidentit Donald Trump dhe Drejtor i Lartë për Evropën dhe Rusinë në Shtëpinë e Bardhë, si dhe me Mark Fleming, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit.
Në këto takime, Hamza tha se është diskutuar për zhvillimet politike dhe ekonomike në vend, si dhe për rëndësinë që Kosova të ruajë dhe thellojë partneritetin strategjik me SHBA-në. Ai theksoi se institucionet e Kosovës duhet të orientohen drejt një agjende të qartë zhvillimi dhe forcimit të raporteve me aleatët ndërkombëtarë.
“Kosovën e konsiderojmë të bekuar me mbështetjen e popullit dhe qeverisë amerikane. Kjo mbështetje është jetike në rrugën tonë drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian,” u shpreh Hamza. Ai u ka garantuar zyrtarëve amerikanë se PDK dhe ai vetë e vendosin interesin shtetëror mbi çdo gjë, me fokus në rritjen ekonomike, investimet strategjike dhe riparimin e plotë të marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.
Takimet në Uashington, sipas Hamzës, shërbejnë si dëshmi e vazhdimit të përkushtimit për një partneritet të pandryshueshëm me Shtetet e Bashkuara, të cilat mbeten mbështetësi kryesor i Kosovës në arenën ndërkombëtare.

