Kancelari gjerman Friedrich Merz ka kritikuar ashpër kryeministrin hungarez Viktor Orban për vizitën e paralajmëruar në Moskë, duke theksuar se udhëtimi po zhvillohet pa asnjë mandat apo koordinim me Bashkimin Evropian. Merz kujtoi se vizita e mëparshme e Orbanit tek presidenti rus Vladimir Putin, në korrik të vitit 2024, u pasua nga intensifikim i sulmeve ajrore ruse ndaj Ukrainës.
“Vizita e tij e fundit jo vetëm që nuk pati efekt pozitiv, por u pasua nga disa prej sulmeve më të rënda ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë,” deklaroi Merz në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin slloven Robert Golob në Berlin.
Kancelari gjerman paralajmëroi se edhe kësaj here Orban po vepron jashtë linjës së BE-së. “Ai po shkon në Rusi pa mandatin e Bashkimit Evropian dhe pa koordinim me partnerët. Shpresoj të mos shohim një reagim të ngjashëm nga Rusia pas kësaj vizite,” shtoi ai.
Presidenti slloven Golob ishte edhe më i drejtpërdrejtë në kritikat e tij, duke vënë në dyshim qasjen e liderit hungarez ndaj interesave evropiane. “Kam frikë se Viktor Orban nuk po luan për ekipin e Europës prej kohësh,” u shpreh Golob. Ai nënvizoi se nga vizita nuk pritet asnjë rezultat pozitiv, duke theksuar se Orban po vepron kryesisht në interes të tij personal dhe politik.
Orban pritet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, për të diskutuar furnizimet energjetike dhe luftën në Ukrainë, vizitë e cila tashmë ka shkaktuar shqetësim të gjerë brenda Bashkimit Evropian.
Takimet e drejtpërdrejta mes Orbanit dhe Putinit, edhe pas nisjes së agresionit rus kundër Ukrainës, vazhdojnë të jenë burim tensioni në BE, duke ngritur pikëpyetje mbi pozicionimin e Hungarisë brenda bllokut dhe unitetin evropian ndaj Rusisë.

