Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka mbërritur në Serbi në një moment kritik për industrinë energjetike serbe, e cila po përballet me pasoja të rënda nga sanksionet amerikane ndaj kompanisë NIS, nën pronësi ruse. Orban u takua të enjten me presidentin Aleksandër Vuçiq në Suboticë, ku në fokus të bisedimeve ishte mundësia që kompania hungareze MOL të marrë aksione në NIS, për të shpëtuar rafinerinë serbe nga mbyllja e afërt.
Takimi mes dy liderëve nisi në mënyrë informale, me Orban dhe Vuçiq që shijuan byrek në një fabrikë birre në Suboticë. “Miqësia midis Serbisë dhe Hungarisë është më e fortë se çdo protokoll,” shkroi Vuçiq në Facebook, duke publikuar fotografi nga vizita. Pas kësaj, dy udhëheqësit vizituan kantinën e njohur të verës “Zvonko Bogdan” në Paliç, ku vijuan diskutimet për projektet e përbashkëta dhe bashkëpunimin rajonal.
Vizita e Orban vjen në një kohë kur Serbia rrezikon të mbyllë rafinerinë e saj të vetme të naftës, pas ndalimit të furnizimeve nga tubacioni kroat JANAF për shkak të sanksioneve të SHBA-së. Qeveria serbe ka njoftuar se kompanitë ruse Gazprom Neft dhe Gazprom kanë vetëm 50 ditë kohë për të shitur aksionet e tyre në NIS, përndryshe shteti serb do të marrë kontrollin.
Nga ana e tij, Orban deklaroi se Hungaria po punon për të siguruar furnizime të mjaftueshme me naftë dhe gaz rus, që më pas të mund t’i kalohen Serbisë. Ai shtoi se Budapestit nuk i mungon interesi për të marrë një rol më të madh në NIS, duke theksuar se çdo vendim mbetet në duart e Beogradit.
Shefi i kabinetit të Orbanit, Gergely Gulyas, konfirmoi se bisedimet për MOL-in janë duke vazhduar. “Është në interes të NIS-it që të largohet pronësia ruse. Një mundësi është që MOL të hyjë më fuqishëm në kompani,” tha ai.
Në këtë situatë të tensionuar energjetike, ndikimi politik dhe ekonomik i Hungarisë shihet si shpëtimtar i mundshëm për Serbinë, ndërsa pritet me interes se si do të evoluojnë negociatat në ditët e ardhshme.

