Oso Ferizi, pjesëtar i dy grupeve të para guerile (më vonë UÇK) të vitit 1991 të formuara në Shqipëri, ka publikuar një reagim të ashpër publik ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës, duke kërkuar që kontributi i brezit të parë të rezistencës të njihet dhe të mos vazhdojë të anashkalohet.
Sipas Ferizit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë tashmë kërkesën zyrtare të paraqitur nga ai dhe bashkëluftëtarët e tij, të cilët pretendojnë se ishin bërthama e parë e organizuar e UÇK-së, shumë përpara shpërthimit të luftës së armatosur. Ai thekson se këto grupe guerile, të formuara në zonën e Malit të Dajtit dhe Surrelit në Shqipëri, vepronin me marrëveshje dhe mbështetje të Presidentit historik Ibrahim Rugova dhe shtetit shqiptar të asaj kohe.
Ferizi përmend emra të njohur të historisë së rezistencës, të cilët sipas tij kanë qenë pjesë e këtyre strukturave të para: Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Ilaz Kodra, Xhevat Qerimi e të tjerë. Ai rikujton datën 2 dhjetor 1991, kur 33 pjesëtarë të grupit, të prirë nga Sali Çekaj, kaluan kufirin të armatosur për të nisur fazën e parë të angazhimit në terren.
Në reagimin e tij, Ferizi shprehet se pavarësisht këtij angazhimi të hershëm, për 33 vjet asnjë institucion nuk ka shprehur falënderim apo vlerësim zyrtar për këtë grup. Sipas tij, institucionet shtetërore “krenohen me UÇK-në në ceremoni publike”, por injorojnë ata që i konsideron si themeluesit e saj.
Ai kritikon edhe mënyrën se si, sipas tij, figura të tjera publike nderohen në mënyrë të pazëshme, duke shprehur pakënaqësi për perceptimin se historia shfrytëzohet për qëllime politike ose simbolike, ndërsa sakrifica e atyre që morën pjesë në strukturat e para të rezistencës mbetet në hije. Ferizi thekson se kjo situatë përbën “padrejtësi” dhe “mohim të kontributit historik”.
Në fund të reagimit të tij, Oso Ferizi i bën thirrje institucioneve të Kosovës të “kthehen te e vërteta historike” dhe të japin respektin e merituar për gjeneratën që ai e përshkruan si themelet e para të rezistencës së armatosur.
Reagimi mban datën 28 nëntor 2025 dhe është bërë në emër të pjesëtarëve të dy grupeve të para guerile të vitit 1991.
Postimi i plotë:
REAGIM PUBLIK
DY GRUPET E PARA GUERILE 1991: “Sakrifica jonë po injorohet, ndërsa historia po përdoret si dekor politik!”
Presidentja e Kosovës, znj. Osmani, e ka marrë kërkesën tonë zyrtare – nga ne, pjesëtarët e dy grupeve të para guerile të vitit 1991 në Shqipëri (Mali i Dajtit – Surrel), të cilët vepruam me marrëveshje dhe pajtim nga Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe Shtetin Shqiptar në krye më Presidentin R. Alia.
Këto dy grupe kanë qenë bërthama e parë e organizuar e UÇK-së, shumë përpara shpërthimit të luftës së armatosur.
Brenda këtyre grupeve ishin heronjtë dhe themeluesit e vërtetë të UÇK-së:
Sali Çekaj, Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Ahmet Hoxha, Ilaz Kodra, Xhevat Qerimi, dhe shumë të tjerë që u bënë shtylla historike e rezistencës.
Me 02.12.1991, të prirë nga hero Sali Çekaj, 33-veta kaluam kufirin më armatime dhe nisëm fazën e parë të angazhimit të armatosur për lirinë e Kosovës.
Megjithatë, për 33 vite, asnjë institucion nuk na ka dhënë as falënderimin më minimal.
Kjo situatë është padrejtësi dhe absurd i pastër: në njërën anë institucionet krenohen me UÇK-në, përdorin emrat e heronjve për ceremoni dhe politikë ditore, ndërsa në anën tjetër injorojnë themeluesit e saj dhe sakrificën tonë të drejtpërdrejtë.
Ndërkohë, sot nderohet një këngëtare si Adelina Ismajli që e kthen këtë çështje në biznes – ndërsa ata që ngritën themelet e UÇK-së vazhdojnë të anashkalohen, po të ishin gjallë ata heronjë njejtë do trajtoheshin.
Kjo është tallje, bigjoz politik dhe mohim i kontributit tonë historik.
Ne kërkojmë që institucionet e Republikës së Kosovës të kthehen nga historia e vërtetë, të respektojnë sakrificën e gjeneratës së parë të rezistencës dhe të mos lejojnë që themeli i shtetit të nëpërkëmbet.
Me respekt,
Oso Ferizi-pjestar i grupit të armatosur të 02.12.1991
Në emër të pjesëtarëve të dy grupeve të para guerile, 1991.
28.11.2025.





