Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste, të mbajtur në Maltë, duke përfaqësuar vendin në një forum ndërkombëtar të rëndësishëm. Vetëvendosje bëri të ditur këtë pjesëmarrje përmes një njoftimi në faqen zyrtare në Facebook, pas mungesës së dy ditëve të fundit të kryeministrit në vend.
Punimet nisën me takimin e Presidiumit, ku Kryeministri në detyrë Kurti bashkë me udhëheqës të tjerë progresistë, kryeministra dhe kryetarë partish socialdemokrate, socialiste dhe laburiste, diskutuan mbi sfidat globale të paqes, demokracisë, drejtësisë sociale dhe ndryshimeve klimatike.
Gjatë forumit, Kurti mbajti edhe një fjalim para delegacioneve pjesëmarrëse, duke theksuar rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe të sundimit të ligjit. Ai shpjegoi se lufta kundër korrupsionit në mandatin e tij ka kontribuar në rritjen ekonomike, ndërsa politikat sociale të rishpërndarjes kanë nxitur një zhvillim progresiv dhe gjithëpërfshirës.
Në punimet e këtij Këshilli morën pjesë edhe krerë të lartë qeverish nga vende të ndryshme, përfshirë Kryeministrin e Maltës, Robert Abela, si nikoqir, dhe Kryeministrin e Spanjës dhe Kryetarin e Internacionales Socialiste, Pedro Sánchez. Ata diskutuan mbi dinamikat aktuale globale, sidomos ato në rajonin e Mesdheut, si dhe mbi rolin dhe detyrat e Internacionales Socialiste në këtë kontekst.
Pjesëmarrja e kryeministrit Kurti në këtë forum ndërkombëtar nënvizon angazhimin e Kosovës në organizatat progresiste globale dhe rikonfirmon funksionin e vendit në promovimin e paqes, dialogut, demokracisë, solidaritetit dhe drejtësisë.

