Politologu Bajram Gecaj ka reaguar përmes një postimi, duke komentuar zhvillimet politike në prag të zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe raportet e partive politike me mërgatën. Ai thekson se Lidhja Demokratike e Kosovës kishte ngritur rezerva për datën e zgjedhjeve kryesisht për shkak të festave dhe mungesës së mundshme të votuesve dhe monitoruesve, por jo për ndikimin ndaj votës së diasporës.
Sipas Gecajt, LDK është e bindur se lidhja e saj me mërgatën është “e çeliktë” dhe se asnjë datë zgjedhjesh nuk mund ta rrezikojë këtë raport të ndërtuar ndër vite. Ai akuzon Lëvizjen Vetëvendosje se i qaset mërgatës vetëm në kohë zgjedhjesh, duke e shfrytëzuar kontributin e saj për interesa elektorale.
Gecaj kujton përvojën e tij në organizimin e komunitetit shqiptar në Britani, duke thënë se ka parë nga afër sinqeritetin dhe kontributin e diasporës, ndërsa kritikon LVV-në për, siç e quan ai, “keqpërdorimin” e mërgates përmes deklaratave populiste.
Ai akuzon gjithashtu përfaqësues të Vetëvendosjes në KQZ se po paraqiten si mbrojtës të diasporës vetëm për të fituar vota. Sipas tij, mërgata ka pasur gjithmonë rol të rëndësishëm historik dhe partitë tradicionale e kanë respektuar këtë rol pa e instrumentalizuar.
“Mërgata e pa dhe e kuptoi këtë lojë, prandaj nuk mashtrohet dy herë,” shkruan Gecaj, duke shtuar se diaspora di të dallojë se kush punon për stabilitet dhe kush “po rrezikon shtetin”.
Ai përfundon se mërgata do të vazhdojë të mbrojë Kosovën “me votë, bindje dhe dinjitet”, duke theksuar se LDK mbetet, sipas tij, alternativa e duhur politike për vendin.

