BE vendos të zgjasë mandatin e emisarit për dialog, Peter Sorensen, për dy vite të tjera

by engel

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i zgjasin mandatin emisarit evropian për dialog, Peter Sorensen, për dy vite shtesë, pas rekomandimit të Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas. Lajmin e kanë konfirmuar burime diplomatike në Bruksel, duke theksuar se vendimi vjen për të siguruar vazhdimësinë e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Mandati i parë i Sorensen-it ishte 13-mujor dhe skadon në fund të muajit shkurt. Megjithatë, përparimi në dialog ka qenë i kufizuar, kryesisht për shkak të zhvillimeve të brendshme politike në të dyja vendet, ndërsa takimet në nivel të kryenegociatorëve kanë qenë sporadike.

banner

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se Kaja Kallas synon organizimin e një takimi në nivel liderësh, por vetëm kur të krijohen kushtet e duhura për një përparim të qëndrueshëm.

BE-ja thekson se avancimi në rrugën evropiane, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është i lidhur drejtpërdrejt me progresin në dialog. Në takimin e dhjetorit të ministrave evropianë, palëve do t’u rikujtohet se mungesa e përparimit në normalizimin e marrëdhënieve mund t’i privojë nga mundësi të rëndësishme.

Pavarësisht mungesës së takimeve në nivelin më të lartë politik, Bashkimi Evropian vazhdon t’u kërkojë të dyja vendeve përmbushjen e detyrimeve të dalura nga dialogu dhe zbatimin e marrëveshjes së vitit 2023, e arritur mes liderëve në Ohër.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy