Profesori dhe ish-diplomati Muhamet Hamiti ka kritikuar qeverisjen e Albin Kurtit dhe presidentes Vjosa Osmani, duke e përshkruar periudhën e tyre në pushtet si më të dëmshmen për pozitën ndërkombëtare të Kosovës.
Në një reagim publik, Hamiti ka theksuar se më shumë se gjysma e kohës së qeverisjes aktuale është shoqëruar me sanksione të Bashkimit Evropian, të vendosura ndaj Kosovës tash e dy vjet e gjysmë.
“Gjysmën e kohës që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë në pushtet, Kosova është nën sanksione të BE-së. Po ashtu, marrëdhëniet e vendit tonë me SHBA-të janë në pikën më të ulët”, ka shkruar ai, duke e quajtur këtë periudhë një precedent të pahasur në historinë e shtetit të Kosovës.
Hamiti ka theksuar se për herë të parë vendi po përballet me masa ndëshkuese nga aleatët kryesorë, duke vlerësuar se qeverisja aktuale e ka larguar Kosovën më shumë se kurrë nga integrimet euro-atlantike.
“Kaq për rezultatet e duopolit në pushtet që nga viti 2021, që erdhi me premtimin për ndryshim. Ndryshimi ka ndodhur pa dyshim: për të keq”, përfundon reagimi kritik i Hamitit.

