Komuniteti katolik në Shqipëri dhe Kosovë është tronditur nga lajmi i ndarjes së papritur nga jeta të ipeshkëvit të dioqezës së Sapës, Imzot Simon Kulli, i cili ka vdekur në moshën 52-vjeçare si pasojë e një ataku kardiak. Lajmi u bë i ditur në orët e hershme të së shtunës, duke sjellë dhimbje dhe pikëllim të thellë në mbarë Kishën Katolike në rajon.
Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, reagoi menjëherë pas marrjes së lajmit, duke e quajtur këtë humbje “një goditje që na i pikëlloi zemrat”. Në reagimin e tij të publikuar në rrjetet sociale, ai shprehu dhimbjen e madhe për humbjen e kolegut të tij në episkopat, duke theksuar se vdekja e Imzot Kullit ishte krejt e papritur.
“E lus Zotin për shpirtin e tij dhe për dioqezën e tij në pikëllim,” shkroi Ipeshkvi Gjergji, duke shtuar se detajet e ceremonisë mortore do të bëhen të ditura në ditët në vijim.
Imzot Simon Kulli, i cili mbante edhe postin e nënkryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, ishte një prej figurave më të respektuara të Kishës Katolike shqiptare. Vdekja e tij e hershme ka lënë pas një boshllëk të madh, si në komunitetin kishtar, ashtu edhe te besimtarët që ai shërbeu me devotshmëri.
“Pushoftë në paqe. Amen,” përfundon reagimi i Imzot Dodë Gjergjit, i cili bashkohet me lutjet dhe ngushëllimet e mijëra besimtarëve që po vajtojnë humbjen e ipeshkëvit të Vaut të Dejës.

