Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT) ka reaguar pas deklarimeve dhe raportimeve publike se kompania EFT LLC ka furnizuar qytetarët e Kosovës me energji elektrike më 28 nëntor 2025. Përmes një sqarimi zyrtar, KOSTT i ka cilësuar këto pretendime të pasakta.
Sipas të dhënave të Operatorit të Tregut, KOSTT thekson se EFT LLC nuk ka rezervuar kapacitete ndërkufitare në SEE CAO për të furnizuar konsumatorët brenda Kosovës, por vetëm për transit të energjisë elektrike. Siç sqarojnë nga operatori, rezervimi i kapaciteteve në SEE CAO përdoret nga palët tregtare për import dhe eksport ndërkufitar, e jo për furnizim të drejtpërdrejtë të konsumatorëve.
Në reagim theksohet se të hyrat e gjeneruara nga shfrytëzimi i këtyre kapaciteteve ndahen ndërmjet operatorëve të sistemeve të transmetimit të vendeve përkatëse, sipas metodologjisë së SEE CAO. KOSTT rikujton se është themeluese dhe aksionare e kësaj platforme së bashku me shtatë operatorë të tjerë të rajonit, përfshirë Kroacinë, Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Shqipërinë, Greqinë, Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut.
SEE CAO është institucioni përgjegjës për alokimin e kapaciteteve ndërkufitare të transmetimit në dhjetë kufij të zonave të ofertimit në Evropën Juglindore, përmes ankandeve eksplicite të bazuara në metodologjinë NTC dhe në përputhje me rregulloren evropiane dhe Traktatin e Komunitetit të Energjisë.
Në fund të reagimit, KOSTT thekson se mbetet i përkushtuar ndaj transparencës dhe informimit korrekt të publikut, duke theksuar rëndësinë e komunikimit të përgjegjshëm në sektorin energjetik.

