Sot është bërë një vit nga shpërthimi terrorist serb që ndodhi në kanalin Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Aty ishin përdorur rreth 20 kilogramë eksplozivë, me qëllimin për ta hedhur në erë kanalin, një nga sulmet më të rënda ndaj infrastrukturës kritike që nga paslufta.
Dëmi i shkaktuar është vlerësuar në rreth 400 mijë euro.
Derisa Serbia u akuzua për akt terrorist, autoritetet në Beograd mohuan akuzat. Megjithëse ka kaluar një vit nga ngjarja, rrethanat e saj ende mbesin të paqarta; nuk ka aktakuzë dhe as përgjegjësi të përcaktuar.
Në hetimin për zbardhjen e rastit janë përfshirë edhe agjentë të Byrosë Federale të Hetimeve (FBI). Ndërkohë që ndërkombëtarët heshtin për të dhënë informacione, institucionet e Kosovës kanë arrestuar dhjetëra persona nën dyshimin për përfshirje në shpërthim dhe kanë sekuestruar armë e eksplozivë. Në paraburgim janë dërguar Dragisha dhe Jovan Viçentijeviq.
Serbia përgjegjëse?
Zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar më herët se pas sulmit qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Ky i fundit mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në shtator të vitit 2023, ku u vra një polic i Kosovës, ndërsa në përleshjet e mëvonshme u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se ka informacione të inteligjencës se shteti i Serbisë ishte përgjegjës për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmit në Ibër-Lepenc.
Megjithatë, ambasadori i atëhershëm amerikan në Serbi, Christopher Hill, deklaroi se SHBA-ja “nuk sheh asnjë provë që çon drejt Beogradit” lidhur me këtë rast.

