Partia e Drejtësisë ka njoftuar se kandidatët e saj do të përfshihen në listën e deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas njoftimit zyrtar të partisë, marrëveshja është miratuar edhe nga kryesia e saj, duke siguruar një koordinim të plotë politik.
“Në këtë mënyrë sigurojmë përfaqësim dinjitoz të vlerave, programit dhe përvojës shtetndërtuese të Partisë së Drejtësisë, duke krijuar qasje të përbashkët drejt përgjegjësisë publike dhe qeverisjes qendrore cilësore,” thuhet në njoftim.
Partia thekson se vendimi reflekton orientimin e saj drejt unitetit dhe bashkëpunimit politik, stabilitetit institucional dhe rritjes së mundësive për përfaqësimin e vlerave qytetare me profesionalizëm dhe integritet.
Sipas përfaqësuesve të Partisë së Drejtësisë, ky hap synon të forcojë koordinimin mes dy subjekteve dhe të sigurojë një prezencë më të fuqishme në Kuvendin e ardhshëm.

