Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një vizitë spontane në komunën e Dragashit, gjatë kthimit nga Shqipëria. Këtë vizitë ajo e bëri të ditur përmes një postimi në Facebook, ku theksoi bukurinë dhe potencialin zhvillimor të kësaj zone malore.
“Duke u kthyer nga Shqipëria, u ndalëm në komunën pitoreske të Dragashit. Sharri ka traditë, përkushtim dhe bukuri të jashtëzakonshme që kthehen në zhvillim ekonomik”, shkroi Presidentja.
Gjatë qëndrimit, Osmani u takua me kryetarin e komunës, Bexhet Xheladini, me të cilin bisedoi për projektet që po ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe për perspektivën që Dragashi ka në turizëm, bujqësi dhe zhvillim lokal.
Ajo falënderoi kryetarin Xheladini për mikpritjen, si dhe përfaqësuesit e qeverisë dhe kuvendit komunal, duke vlerësuar harmoninë dhe bashkëpunimin mes të gjitha komuniteteve në këtë komunë.

