Një person ka mbetur i lënduar pas të shtënave me armë zjarri të ndodhura këtë pasdite në rrugën “Dardania” në Fushë-Kosovë.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka konfirmuar për mediat se rasti është raportuar rreth orës 16:00.
“Rreth orës 16:00 kemi marrë informatën për të shtëna me armë zjarri, në rrugën Dardania në Fushë-Kosovë. Njësitet policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, nga ku raportohet për një person të lënduar”, ka deklaruar Ahmeti.
Ajo shtoi se hetuesit policorë kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

