Është ekstraduar nga Kroacia një 55-vjeçar që akuzohet se i ka shkaktuar shtetit dëm 366 mln lekë (afro 4 milionë euro).
55 vjeçari Emin Shabani, lindur në Maqedoninë e Veriut, akuzohet nga GJKKO se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, duke vepruar si organizatë kriminale, ka kontrabanduar cigare për të cilat paguhet akcizë.
Me këtë veprimtari, ata i kanë shkaktuar shtetit shqiptar, dëm ekonomik 366 034 540 lekë.
Ndaj tij, Gjykata e Posaçme, me vendimin e datës 27 Maj 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Njoftimi:
Interpol Tirana
Ekstradohet nga Kroacia, një 55-vjeçar, i cili akuzohet nga GJKKO-ja, si pjesëtar i një organizate kriminale që i ka shkaktuar shtetit, dëm të konsiderushëm ekonomik, nëpërmjet kontrabandës së mallrave për të cilat paguhet akcizë.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit, me homologët në Kroaci, u finalizua procedura për ekstradimin në Shqipëri, të shtetasit:
E. Sh., 55 vjeç, lindur në Maqedoninë e Veriut.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datë 27.05.2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Shtetasi E. Sh. akuzohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë, duke vepruar si organizatë kriminale, ka kontrabanduar mallra (cigare) për të cilat paguhet akcizë.
Me këtë veprimtari, ata i kanë shkaktuar shtetit shqiptar, dëm ekonomik 366 034 540 lekë.
Shtetasi i ekstraduar iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

