Kryeqyteti nuk do të ketë transport publik as sot. Trafiku Urban do të vazhdojë me bllokim të rrugëve me autobusë. Këtë e ka konfirmuar kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke theksuar se greva do të vazhdojë deri në momentin kur Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin ndaj operatorëve publikë dhe atyre privatë.
Gashi ka theksuar se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban janë dy kërkesat bazë të kësaj greve. Sipas tij, vendimi është marrë të premten, por ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave.
Situata e krijuar mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave ka lënë qytetarët për një javë pa transport publik, duke i detyruar ata të gjejnë zgjidhje vetanake.
Ndërkohë, qytetarët kërkojnë që institucionet të gjejnë sa më shpejt një zgjidhje për këtë problem, pasi mungesa e transportit po ua vështirëson jetën e përditshme.
Greva e Trafikut Urban ka nisur të hënën, duke pezulluar të gjitha linjat. Sipas tyre, 3.2 milionë euro janë borxhet që Komuna ia ka Trafikut Urban, ndërsa 1 milion e 600 mijë euro është borxhi që Trafiku Urban ua ka furnitorëve për derivate.

