Zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale në Kosovë po afrohen, dhe “temperaturat” politike po rriten bashkë me pritjet e qytetarëve.
I ftuar në emisionin “Ora Shtatë”, avokati Azdren Bytyqi dha një parashikim interesant për renditjen e partive dhe lëvizjet e mundshme në skenën politike, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, ndryshimet e mëdha nuk pritet të ndodhin, por megjithatë disa lëvizje të vogla mund të jenë vendimtare.
Bytyqi parashikon se Lëvizja Vetëvendosje do të përballet me një rënie të lehtë, megjithëse kjo mund të kompensohet nga votat e fuqishme të diasporës, e cila tradicionalisht ka pasur ndikim.
Në anën tjetër, PDK dhe LDK, sipas avokatit, pritet të regjistrojnë një rritje modeste, duke rikthyer një ekuilibër të ri politik në prag të zgjedhjeve.
“Nuk do të ketë lëvizje të mëdha. Do të ketë rënie të Lëvizjes Vetëvendosje, pak, që është e pritshme, por ajo rënie mund të rikuperohen nga diaspora. Nga ana tjetër PDK dhe LDK mund të ketë një rritje të vogël”, u shpreh Bytyqi.

