Rusia dhe Arabia Saudite nënshkruan këtë të hënë një marrëveshje lidhur me lëvizjen pa viza për turistët dhe biznesmenët nga të dy vendet për një periudhë deri në 90 ditë. Kjo marrëveshje u njoftua nga qeveria ruse dhe Ministria e Jashtme saudite.
Marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Forumit të Investimeve dhe Biznesit midis Arabisë Saudite dhe Rusisë që po zhvillohet në Riad.
“Tani që marrëveshja është nënshkruar, do të pasojnë procedurat ligjore për shkëmbimin e komunikimeve dhe hyrjen në fuqi të dokumentit. Sipas mendimit tim, kjo do të bëjë të mundur vizitën e vendeve tona pa vizë në fillim të vitit të ardhshëm”, tha zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak.
Novak shtoi se Rusia dhe Arabia Saudite do të punojnë gjithashtu për të rritur numrin e linjave ajrore që operojnë fluturime direkte midis dy vendeve.

