Takimi që “trazoi” PD-në, Alimehmeti zbulon prapaskenat: Grupim i ri në parti? Strukturat nuk po mblidhen, kërkojmë që…

by Nexhat

Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti, i ftuar në emisionin “Studio24”, ka sqaruar takimin e shumëdiskutuar të disa prej eksponentëve demokratë, të cilët në primare dhe listat e hapura të zgjedhjeve të 11 majit rezultuan ndër më të votuarit. Sipas tij, ky takim nuk ka qenë një lëvizje jashtë strukturave, por një përpjekje për të ngritur një zë që prej muajsh nuk po dëgjohet në forcat drejtuese të PD-së.

Alimehmeti shpjegoi se PD historikisht ka funksionuar mbi bazën e diskutimeve me njerëzit dhe që në themel të saj janë fjala dhe vota. Ai theksoi se përfaqësuesit që kanë marrë besimin e qytetarëve kanë përgjegjësi t’i çojnë zërat e tyre më lart, por për shkak të formulimeve të reja të kodit zgjedhor, shumë prej tyre nuk kanë pasur mundësinë të përfaqësohen në Parlament.

banner

“Fjala e tyre megjithatë përfaqëson shumë njerëz. Në këtë aspekt ajo duhej dëgjuar. Tashmë, 6 muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, kjo nuk ka ndodhur,” u shpreh ai. Sipas Alimehmetit, në terren komunikimi me demokratët dhe me ata që kanë kandiduar ka nxjerrë të njëjtën situatë: mungesë forumi, mungesë reflektimi dhe mungesë hapësire institucionale për të diskutuar.

Duke komentuar diskutimet mbi vendin e takimit, ai u shpreh se në kulturën shqiptare shumë punë bëhen në kafe dhe se kjo nuk duhet të jetë çështja kryesore. “Duket sikur të flasësh është gabim. Është e drejtë që njerëzit që janë pjesë e kësaj tavoline të sqarojnë çfarë ka ndodhur; pastaj aludimet janë të drejta e kujtdo,” tha ai

Një kritikë e fortë e Alimehmetit iu drejtua mënyrës se si po funksionon aktualisht PD-ja, duke theksuar se strukturat nuk po mblidhen. Sipas tij, Këshilli Kombëtar nuk është mbledhur prej 9 muajsh, ndonëse ka pasur ngjarje madhore politike që kërkonin diskutim dhe vendimmarrje të qartë.

“Kanë ndodhur zgjedhjet e 11 majit, të denoncuara nga të gjithë. Ka ndodhur rasti ‘Balluku’, një skandal i madh që Këshilli Kombëtar duhej ta diskutonte. Kanë ndodhur protestat. I mbështesim protestat, por duhet të jenë të fuqishme. Po të ishte mbledhur Këshilli Kombëtar, do të ishte kërkuar reagim më i fortë dhe mobilizim më i madh,” u shpreh Alimehmeti.

Ai shtoi se grupi prej 15 personash që u takua synon vetëm të çojë përpara idetë që demokratët në bazë kërkojnë të dëgjohen. Sipas tij, terreni brenda PD-së ka qenë “i uritur për dialog”, gjë që shpjegon edhe reagimin e madh ndaj këtij takimi.

“Ne e dimë çfarë folëm. Jemi 15 vetë, të gjithë të pavarur. PD ka fjalën e lirë. Po të shihni çfarë themi ne dhe titujt që na vendosin, janë të kundërta,” përfundoi Alimehmeti, duke nënvizuar se e vetmja kërkesë e tyre është respektimi i strukturave të partisë.

Ai theksoi se nuk ka një grupim të ri në PD, ndërsa shtoi se po kërkohen mënyra si të vitalizohet partia që të jetë alternativë qeverisëse

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy