Kanë vazhduar përpjekjet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës. Ministrat e mbrojtjes të vendeve të BE-së edhe një herë e shprehën përkrahjen për Kievin, ndërsa i dërguari i posaçëm amerikan ka udhëtuar përsëri drejt Moskës.
Tentimet diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje që do të ndalonte luftën mes Rusisë dhe Ukrainës po vazhdojnë me intensitet të lartë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka vizituar Parisin ku u takua me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar mënyrat e mundshme për arritjen e një marrëveshjeje që do të garantonte “paqe të drejtë” në afat të gjatë dhe që do të ishte e pranueshme për të gjitha palët.
Edhe pse gjatë javës së kaluar u zhvilluan bisedime rreth propozimit të fundit amerikan, Kievi zyrtar ka bërë të ditur se ai propozim përfshin pika të papranueshme për Ukrainën – mes tjerash, pranimin e okupimit rus të pjesëve të Ukrainës, kufizimin e fuqisë ushtarake si dhe ndalimin e Ukrainës nga anëtarësimi në NATO.
Njëkohësisht, në Bruksel është mbajtur një takim i ministrave të mbrojtjes së vendeve të BE-së, në të cilin gjithashtu u diskutua situata në Ukrainë dhe marrëveshja e mundshme e paqes. Gjatë takimit, ministrat e mbrojtjes së BE-së bënë të ditur se evropianët vazhdojnë ta përkrahin Kievin, duke theksuar se çdo marrëveshje që arrihet nuk duhet të përfshijë dorëzimin e territoreve ukrainase Rusisë. Përveç faktit që dorëzimi i territoreve është kundër kushtetutës ukrainase, Kievi dhe aleatët evropianë thonë se një marrëveshje e tillë jo vetëm që nuk do ta ndalonte luftën, por do të krijonte rrezik për luftëra të tjera në të ardhmen, pasi një veprim i tillë do të ishte “shpërblim për agresionin rus ndaj Ukrainës”, duke e justifikuar agresionin e Putinit dhe duke sinjalizuar se Rusia mund të vazhdojë të marrë territore me forcë.
Ndërkohë, i dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, është duke udhëtuar drejt Moskës ku, të martën, do të takohet me zyrtarë të lartë rusë për të diskutuar ndryshimet në planin e propozuar. Deri më tani, Kremlini nuk ka komentuar për ndryshimet e mundshme, por gjatë ditëve të fundit zyrtarë të ndryshëm rusë kanë deklaruar se Moska nuk planifikon t’i ndryshojë kërkesat e saj

