Analisti Shenoll Muharremi ka ngritur shqetësime serioze mbi mënyrën se si janë zhvilluar votimet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke thënë se rezultati i atjeshëm është krejtësisht asimetrik krahasuar me votimin brenda Kosovës dhe atë të diasporës me postë.
Sipas tij, diferencat e mëdha në përqindje ngrenë dyshime për ndikim të mundshëm institucional nga pushteti aktual.
Sipas të dhënave zyrtare, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 80.71% të votave në ambasada, gati dyfish më shumë sesa përqindja që mori në territorin e Kosovës ose në votimin e diasporës në përgjithësi. Për Muharremin, një dominim i tillë i një partie vetëm në njërin nga format e votimit është “krejtësisht i panatyrshëm”.
“Nuk ka asnjë mundësi që, në mënyrë normale dhe pa ndikim, vetëm një tip i votimit të prodhojë një rezultat kaq të njëanshëm,” deklaroi ai, duke shtuar se kjo situatë mund të tregojë se diplomacia dhe infrastruktura diplomatike e Kosovës janë instrumentalizuar nga pushteti, në këtë rast nga LVV-ja.
Muharremi thekson se dallimi është tepër i madh për t’u konsideruar rastësi.
“Në nivel vendi, VV mori 42.3% të votave, nga diaspora me postë, rreth gjysmën…por në ambasada, plot 80%”
Ai sqaron se këto të dhëna nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht manipulim apo vjedhje votash, por sugjerojnë “ndikim dhe organizim të qëllimshëm” që mund të ketë ndikuar në rezultatin final brenda përfaqësive diplomatike.
Analisti paralajmëron se qeveritë dhe partitë në pushtet duhet të tregojnë kujdes të lartë në proceset zgjedhore që vijnë, përfshirë zgjedhjet e 28 dhjetorit, që të mos përdorin ambasadat dhe konsullatat për të favorizuar një subjekt politik.
“Asnjë votë nuk duhet të ndikohet apo devijohet në asnjë mënyrë, përfshirë përmes organizimeve të veçanta që prodhojnë rezultate asimetrike,” tha ai.
Sipas Muharremit, sjellja me përgjegjësi është detyrim veçanërisht për qeveritë në detyrë, të cilat duhet të sigurojnë kushte të barabarta për të gjithë qytetarët – në Kosovë, në diasporë dhe në përfaqësitë diplomatike.

