Ortakëria e prishur mes Mondi Mëhallës alias Edmond Hyka me 32-vjeçarin Xhino Ago, dyshohet si shkaku i ekzekutimit mafioz të biznesmenit mbrëmjen e 30 Nëntorit. Viktima u qëllua sapo hyri në automjetin tip Range Rover në lagjen “Emin Matraxhiu”, në Elbasan.
Mes 43-vjeçarit dhe Xhino Agos, i cili u arrestua si i dyshuar për vrasjen, sipas burimeve ka pasur mosmarrëveshje për ndarjen e normës së fitimit në biznes dhe kohët e fundit mes tyre ka pasur incidente lidhur me këtë çështje.
Edhe makina e përdorur nga autorët e vrasjes, që dyshohen 32-vjeçari Marselo Arani dhe 35-vjeçari Armando Kola të shpallur në kërkim, rezulton në pronësi të vetë ortakut të viktimës.
Ndërsa blutë kanë gjetur dhe sekuestruar si automjetin tip Audi të përdorur nga vrasësit, po ashtu edhe armën e krimit, me të cilën u ekzekutua me dy plumba në kokë biznesmeni.
Policia informon gjithashtu se gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.
“Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje. Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR. Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të Xhino Agos, i cili ia ka dhënë me hua për përdorje Marselo Aranit”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i:
Xhino Agos, 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
Kujtim Pisha, 52-vjeç, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).
Në kërkim u shpallën:
Marselo Arani, 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe dhe Armando Kola, 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Njoftimi i policisë:
Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 43-vjeçarit.
Si rezultat i hetimeve të thelluara e të pandërprera, pas 24 orësh identifikohen dhe shpallen në kërkim dy shtetas të dyshuar si autorë të vrasjes.
Vihet në pranga një nga bashkëpunëtorët.
Në pranga u vu edhe 52-vjeçari, për “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka dhënë informacion (roja i karburantit).
Gjatë veprimeve hetimore u gjet i djegur automjeti i përdorur nga autorët dhe arma e zjarrit e përdorur në ngjarje.
Gjithashtu, u sekuestruan dokumenta shitblerjeje automjeti, 3 celularë dhe 2 DVR.
Si rezultat i një pune intensive hetimore të kryer në kuadër të operacionit policor të koduar “Strike”, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur më datë 30.11.2025, në lagjen “Emin Matraxhiu”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi M. M., alias E. H., strukturat për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë dhe me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjetën prova të rëndësishme që çuan në zbardhjen e ngjarjes.
Gjithashtu, gjatë operacionit u zbardh mekanizmi i ngjarjes, i dokumentuar edhe me disa pamje filmike.
Në përfundim të hetimeve u bë arrestimi i shtetasve:
Xh. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, (i dyshuar si bashkëpunëtor), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
K. P., 52 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
Dhe u shpallën në kërkim shtetasit M. A., 32 vjeç, banues në Elbasan, ndërkohë që ishte në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për një tjetër vepër penale, si dhe A. K., 35 vjeç, banues në Laç, (të dyshuar si autorë të vrasjes), për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Nga veprimet hetimore rezultoi se automjeti i përdorur nga autorët është në pronësi të shtetasit Xh. A., i cili ia ka dhënë me hua për përdorje shtetasit M. A.
Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

