Menaxhmenti i Policisë së Kosovës ka bërë një hap tjetër drejt forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe logjistike, si dhe rritjes së efikasitetit të punës së policëve patrullues, duke shpërndarë automjete zyrtare për njësitë patrulluese në të gjitha drejtoritë rajonale.
Ky veprim synon të sigurojë që patrullat policore të jenë më afër qytetarëve dhe të përgjigjen më shpejt ndaj nevojave dhe kërkesave të tyre, duke mundësuar përmbushjen më të lehtë të objektivave të Planit Zhvillimor Strategjik dhe forcimin e qasjes proaktive ndaj qytetarëve.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, kolonel Gazmend Hoxha, ka ndarë gjithsej 41 automjete të reja për njësitë patrulluese, përfshirë 35 limuzina, duke përfshirë edhe modele hibride, si dhe 6 xhipa për mbulimin e zonave patrulluese më të largëta. Ky vendim vjen si pjesë e mbështetjes së vazhdueshme ndaj departamenteve të rendit publik dhe përmirësimit të kapaciteteve operacionale të Policisë.
Policia e Kosovës thekson se kjo iniciativë tregon përkushtimin e saj për një qasje proaktive ndaj qytetarëve, për forcimin e bashkëpunimit dhe komunikimit, si dhe për rritjen e besueshmërisë dhe transparencës institucionale./Informim.net

