Ukraina ka goditur ditën e sotme tubacionin e naftës Druzhba në rajonin qendror të Tambovit të Rusisë.
Lajmi u bë me dije nga një burim pranë shërbimit të sigurisë ushtarake të Ukrainës (GUR), ndërkohë që ky është sulmi i pestë ukrainas ndaj tubacionit që furnizon me naftë ruse Hungarinë dhe Sllovakinë.
Sipas ‘Reuters’, Hungaria dhe Sllovakia vazhdojnë të furnizohen me produkte energjie nga Rusia, edhe pasi vendet e tjera të Bashkimit Evropian i ndërprenë lidhjet pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022.
Mediat ukrainase raportuan se sulmi përfshinte eksplozivë të shpërthyer nga distanca me telekomandë, ndërsa operatori sllovak i tubacionit dhe kompania hungareze e naftës dhe gazit thanë se furnizimet përmes tubacionit Druzhba po funksiononin normalisht, kurse nga Rusia nuk pati asnjë koment.
Ukraina sulmoi tubacionin një herë në mars, dy herë në gusht dhe një herë në shtator të këtij viti.
Kievi thotë se sulmet e tij ndaj objektivave energjetikë në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë ndaj Ukrainës synojnë të minojnë përpjekjet e përgjithshme të luftës së Moskës.

