Mërgim Vojvoda, një prej shtyllave të mbrojtjes së Kombëtares së Kosovës, ka shpalosur emocionet, synimet dhe realizmin e një futbollisti që ka kaluar vite të rëndësishme me fanellën e Dardanëve. Për të, kualifikimi në Kampionatin Botëror 2026 do të ishte kulmi i karrierës dhe realizimi i ëndrrës së fëmijërisë. Ai ka theksuar se një sukses i tillë do të kishte peshën e një momenti që e tejkalon çdo arritje individuale.
“Për mua do të ishte ëndrra më e madhe sa i përket futbollit. Kam ëndërruar të luaj në një Kupë të Botës. Të paraqitesha me Kosovën, nuk ka arritje më të madhe. Për mua është gjithçka. Qëllimi është të kualifikohemi, por janë shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Nuk do të jetë e lehtë”, tha Vojvoda në FFK Podcast.
Vojvoda e sheh sfidën kundër Sllovakisë si tërësisht të hapur, duke vlerësuar se ekipi i Kosovës ka treguar pjekuri dhe karakter për ta çuar deri në fund këtë rrugëtim. Sipas tij, fakti që finalja e mundshme luhet në shtëpi i jep Dardanëve një ndjenjë shtesë besimi dhe motivimi. Përballjet e “play-off”-it i ka cilësuar si finale të vërteta, ku çdo detaj — qoftë energjia, freskia apo përqendrimi — mund të bëjë diferencën.
Vojvoda është ndalur edhe te ndryshimet mes gjeneratave, duke vlerësuar se lojtarët e rinj të Kombëtares po tregojnë disiplinë, përqendrim dhe respekt të jashtëzakonshëm për fanellën. Ai ka veçuar me admirim sakrificat e disa prej tyre që udhëtojnë me orë të tëra nga vende të largëta vetëm për të qenë pjesë e Kosovës, duke e cilësuar këtë përkushtim si shembull frymëzues.
Në rikthimin e tij emocionues te humbja e ashpër kundër Zvicrës në nisje të kualifikimeve, Vojvoda ka pranuar se ekipi e përjetoi rëndë atë rezultat. Megjithatë, ai shtoi se pikërisht ajo sfidë shërbeu si pikë kthese, sepse nga ajo ndeshje grupi ndryshoi qasjen, u bë më kompakt dhe më i bashkuar. Ky transformim, sipas tij, ishte themelor në arritjen e “play-off”-it.
“Kanë qenë të vështirë këta tre muaj, intensivë, sidomos pas ndeshjes së parë kur kemi humbur ‘fëlliqtë’, ndonëse nuk e kemi merituar atë rezultat. Por pas asaj ndeshjeje shumë njerëz i kemi dëshpëruar. Besoj se ka qenë rrugëtim i vështirë, por me fund shumë të mirë”, tha tutje Vojvoda.
Ai ka folur edhe për rritjen e mentalitetit brenda ekipit, krahasuar me vitet e para të Kombëtares, duke theksuar se sot çdo lojtar është i vetëdijshëm për rëndësinë e ekipit mbi individin. Sipas tij, Kosova po i afrohet mënyrës së të menduarit që kanë kombëtaret e mëdha, ku gjithsecili, qoftë titullar apo lojtar që futet nga bankina, e di detyrën dhe jep maksimumin për tre pikët.
“Loja në Suedi, në udhëtim, ka qenë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Më kujtohet një ditë para ndeshjes, gjatë diskutimit, kemi thënë se po të merrnim një pikë do të kishim gjasa të bëjmë diçka. Por kur fituam ndeshjen, për mua stadiumi në Suedi ka qenë si të ishim në shtëpi. Atmosfera ka qenë e jashtëzakonshme. Kudo që kthenim kokën, shikonim flamujt tanë. Kur e kemi fituar atë ndeshje, e kam ditur se edhe ndaj Sllovenisë do të fitojmë”, ka deklaruar 30-vjeçari.
Në fund, Vojvoda është ndalur edhe te Como, skuadra e tij në Serie A, duke folur për sfidat e kampionatit italian dhe pritjet personale për edicionin aktual, ku ai synon të kontribuojë maksimalisht si në klub ashtu edhe në Kombëtare.

