Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Janina Ymeri ka reaguar sërish lidhur me debatet rreth shkëmbimit të energjisë elektrike ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, duke thënë se statistikat zyrtare të këtij shteti nuk përputhen me deklarimet e pushtetit.
Në një reagim të publikuar në rrjete sociale, Ymeri tha se të dhënat daneze nuk tregojnë fare për shkëmbim energjie me Kosovën.
“Sipas statistikës nga Danimarka tregojnë që nuk ka pas shkëmbim të rrymës elektrike me Kosovën, me të njejtin kod tregtar që pushteti thotë se po,” shkroi ajo.
Ajo akuzoi institucionet për ndryshimin e të dhënave shtetërore me qëllim manipulimi.
“Ndryshimi i të dhënave shtetërore të Kosovës për manipulime e mashtrim populli me të vërtetë e drejton këtë debat në një pikë tjetër,” tha Ymeri, duke shtuar me ironi se tash qytetarët mund t’u besojnë vetëm dokumenteve personale.
Ymeri u shpreh se pret që pushteti të publikojë grafikë të reja për ta mbuluar, siç thotë ajo, situatën reale.
“Sonte gatuhet naj grafikë tjetër nga partia me logo V, ose post prej naj institucioni, se edhe ashtu ma shumë keni ‘gatu’ grafika sesa bukë nga mielli i Kosovës”, shtoi ajo.

