Trepça triumfon ndaj GO+ Pejës në “Karagaçi” dhe vazhdon ritmin fitues në Superligë

by Nexhat

Kampionia e Kosovës në basketboll, Trepça, ka shënuar fitore të rëndësishme në palestrën “Karagaçi” në Pejë, ku mposhti GO+ Pejën me rezultat 82:67, në kuadër të xhiros së tetë të Superligës së Kosovës.

Mitrovicasit dominuan ndeshjen pothuajse nga fillimi deri në fund, duke regjistruar fitoren e pestë të sezonit.

banner

Edhe pse GO+ Peja arriti në disa momente ta barazonte rezultatin përpara tifozëve të vet, skuadra pejane nuk arriti asnjëherë të kalonte në epërsi. Trepça hyri në periudhën e katërt me vetëm dy pikë avantazh (64:62), por më pas e thelloi diferencën nga minuta në minutë, duke e mbyllur ndeshjen bindshëm.

Mitrovicasit fituan periudhën e parë 24:18 dhe të dytën 22:21, për të shkuar në pushim me shtatë pikë epërsi. Pejanët e fituan çerekun e tretë 23:18, duke rritur shpresat për një rikthim, por periudha e katërt ishte katastrofale për ta: vetëm pesë pikë të shënuara, krahasuar me 18 të Trepçës.

Te Trepça u dalluan tre basketbollistë me pikë dyshifrore. Më i miri ishte Seketoure Henry, i cili shkëlqeu me 23 pikë, katër kërcime dhe katër asistime.

Chad Brown realizoi dyshifror të dyfishtë me 18 pikë e 13 kërcime, ndërsa Drilon Hajrizi kontribuoi me 14 pikë dhe nëntë kërcime.

Te skuadra pejane, paraqitjet e mira individuale nuk mjaftuan. Cesare Edwards shënoi 17 pikë me nëntë kërcime, ndërsa Jordan Johnson kontribuoi me 20 pikë e pesë asistime. Kapiteni Dardan Berisha e mbylli sfidën me 12 pikë.

Në xhiron e ardhshme, GO+ Peja do të ketë një tjetër sfidë të vështirë në udhëtim kundër Golden Eagle Yllit, ndërsa Trepça do të kërkojë të vazhdojë formën pozitive përballë Vëllaznimit në Mitrovicë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy