Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka rrëzuar sot vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikimin e Listës Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ashtu si në dy rastet e kaluara, edhe këtë herë PZAP-ja i ka dhënë të drejtë Listës Serbe, duke theksuar se vendimi i KQZ-së është i paligjshëm dhe jokushtetues.
Ndërkohë, veprimet e Listës Serbe që nga themelimi i saj, për një nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, vlerësohen si të rrezikshme. Përdorimi i vazhdueshëm i terminologjisë dhe simboleve jokushtetuese ndaj Republikës së Kosovës, përveçse përbën shkelje kushtetuese, kërkon edhe ndërmarrjen e hapave institucionalë.
Termin jokushtetues ndaj Republikës së Kosovës, simbole jokushtetuese, e veprime që mohojnë rendin kushtetues Lista Serbe i praktikon që nga themelimi i saj.
Arsim Bajrami, ekspert i kushtetutës, thekson se Lista Serbe, që nga themelimi i saj, ka përdorur vazhdimisht terminologji dhe simbole jokushtetuese ndaj Republikës së Kosovës, si dhe veprime që mohojnë rendin kushtetues.
Sipas tij, edhe kur veprimet e kësaj partie duken formale, ato në thelb mbeten në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, pasi në mënyrë të vazhdueshme promovojnë sistemin kushtetues të Serbisë prandaj këto veprime të përfaqësuesve politikë serbë duhet të ndalohen.
“Një gjuhë e tillë që mohon emrin Republika e Kosovës nuk duhet të tolerohet në asnjë institucion publik, as në fjalë, as në të shkruar dhe është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës që të penalizojnë përdorimin e kësaj gjuhe dhe të ndalojë rreptësisht kurse në konferenca për shtyp më shumë i drejtohen elektoratit të vetë sepse vetëm me një kauzë të tillë nacionaliste ata mund të ekzistojnë dhe mund t’i mashtrojnë votuesit e vet se gjoja po mbrojnë interesat e Serbisë”, tha ai.
Akademik Bajrami shton se, edhe pse Kushtetuta i shpall jokushtetuese vetëm aktet zyrtare të paraqitura me shkrim, Lista Serbe po ndjek një qasje perfide: nga njëra anë pranon formalisht flamurin dhe institucionet e Kosovës, ndërsa nga ana tjetër, me veprime politike të vazhdueshme, punon kundër rendit kushtetues.
“Për vendin tonë është shumë me rëndësi që kjo parti të monitorohet e sidomos tash të monitorohen katër komunat që sot janë konstitutuar, dhe në qoftë ato prodhojnë një shkelje kushtetuese, përfshirë edhe te emri zyrtar, pra refuzojnë emrin e vetëm zyrtar Republika e Kosovës, atëherë secili akt që prodhojnë komunat me shumicë serbe do të mund të apelohet në Gjykatën Kushtetuese”, shtoi ai.
Bajrami nënvizon se, me konstituimin e katër komunave, është e domosdoshme që Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal të kryejë inspektime të rregullta për të shqyrtuar aktet komunale, me fokus të veçantë tek çdo shkelje potenciale e ligjeve të Kosovës ose mohimi i rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
Ndryshe çdo vendim i komunave me shumicë serbe që refuzon përdorimin e emrit zyrtar Republika e Kosovë mund të apelohet dhe të shpallet jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese, pasi bie ndesh me Kushtetutën e vendit

