Në hapje të konferencës “Ditët e Gjyqësorit 2025”, kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi, ka ngritur shqetësimin për presionet publike dhe reagimet e zyrtarëve shtetëror ndaj gjyqësorit, duke i vlerësuar ato si një kërcënim serioz për pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
Rexhepi tha se ndërhyrjet dhe deklaratat e figurave të larta shtetërore krijojnë perceptim të gabuar për vendimmarrjet gjyqësore dhe ndikojnë drejtpërdrejt në besimin e publikut ndaj drejtësisë. Ai theksoi se gjykatat duhet të jenë plotësisht të lira nga ndikimi i jashtëm, si themel për një sistem të drejtë dhe funksional.
Sipas tij, unifikimi i praktikës gjyqësore dhe zbatimi i njëtrajtshëm i ligjit në të gjitha nivelet bie në themel të pavarësisë dhe profesionalizmit të vendimmarrjes, duke garantuar transparencë dhe standarde të larta në gjyqësor.
Zogaj: Buxheti për gjyqësorin në nivelin më të ulët historik – vetëm 1% i buxhetit të shtetit
(10:20) Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka ngritur shqetësim për mosrealizimin e kërkesave buxhetore ndër vite, duke thënë se mungesa e financimit ka penguar zhvillimin e kapaciteteve të gjyqësorit.
Ai deklaroi se në 18 vitet e fundit, buxheti i ndarë për gjyqësorin nuk e ka kaluar asnjëherë 1.31% të buxhetit total. Ndërsa, për vitin 2025, ai ra në nivelin më të ulët ndonjëherë – vetëm 1%, shkruan “Betimi për Drejtësi”.
Zogaj: Shumica e zotimeve për reformën në drejtësi u realizuan në vitin 2025
(10:14) Në vazhdim të konferencës, Zogaj tha se gjatë vitit 2025 gjyqësori ka arritur të realizojë shumicën e zotimeve të marra për reformën në drejtësi. Ai theksoi se ndryshimet ligjore janë harmonizuar përmes dy letrave të zotimit dhe se pakoja ligjore pritet t’i rikthehet Komisionit të Venecias për vlerësim final.
Këshilli Gjyqësor ka bërë të ditur se ky proces synon përputhjen e plotë të reformave me standardet ndërkombëtare dhe përparimin e sistemit drejt një niveli më të avancuar funksional.
Efikasitet historik në gjyqësor gjatë vitit 2025
Kryesuesi i KGJK-së prezantoi edhe rezultatet më të larta të performancës të arritura ndonjëherë në sistemin gjyqësor të Kosovës. Sipas tij, viti 2025 shënoi efikasitet rekord, me rezultate të matshme në të gjitha nivelet e gjykatave.
Zogaj njoftoi se:
Gjykatat po zgjidhin më shumë lëndë sesa pranojnë, duke arritur efikasitet deri në 137% në gjykatat Themelore,
Ka pasur 61% rritje të lëndëve të zgjidhura krahasuar me vitin 2020,
Backlog-u është ulur ndjeshëm, duke lehtësuar ngarkesën shumëvjeçare,
Efikasiteti në trajtimin e kundërvajtjeve ka arritur 121%,
Gjykata e Apelit dhe ajo Komerciale kanë shënuar përmirësim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në cilësi dhe ritëm të vendimmarrjes.
Zogaj tha se këto rezultate tregojnë se gjyqësori po arrin nivele historike të performancës, pavarësisht sfidave të vazhdueshme dhe mungesave buxhetore.

