Mesfushori i Burnley, Hannibal Mejbri, është dënuar me katër ndeshje pezullim dhe me një gjobë prej 15,000 paundësh pasi pështyu drejt tifozëve të Leeds United në tetor.
Mejbri, 22 vjeç, pranoi akuzën e sjelljes së papërshtatshme nga Federata Angleze e Futbollit dhe nuk do të jetë i gatshëm të kthehet në fushë deri në ndeshjen e Premierligës që skuadra e tij luan në shtëpi kundër Newcastle United më 30 dhjetor.
Incidenti ndodhi në minutën e 67-të të fitores 2-0 të Burnley ndaj Leeds më 18 tetor. Policia e Lancashire hetoi çështjen pasi një tifoz i Leeds bëri ankesë nga sektori i tifozëve miq.
Në njoftimin e dënimit të Mejbri, një deklaratë e FA-së tha: “U pretendua se lojtari veproi në kundërshtim me rregullat e lojës dhe/ose në një mënyrë të papërshtatshme dhe/ose përdori sjellje fyese dhe/ose të pahijshme duke pështyrë drejt ose në drejtim të tifozëve të Leeds United rreth minutës së 67-të. Hannibal Mejbri më pas pranoi akuzën, dhe Komisioni Rregullator vendosi një pezullim prej katër ndeshjesh dhe gjobë 15,000 paundësh pas një seance dëgjimore”.
Mejbri ka bërë 50 paraqitje në të gjitha kompeticionet për Burnley, duke shënuar një gol.
Mesfushori i Kombëtares së Tunizisë iu bashkua “Clarets” nga Manchester United në gusht 2024 me një marrëveshje që mund të arrijë deri në 9.4 milionë paund.
Ai do të humbasë katër ndeshjet e radhës së skuadrës në ligë këtë muaj kundër Newcastle, Fulham, Bournemouth dhe Everton.
Burnley, i ngjitur nga Championship sezonin e kaluar, ndodhet në vendin e 19-të në Premierligë pas pesë humbjeve radhazi.

