Bashkimi Europian ka gjobitur platformën X me 120 milionë euro për shkelje të rregullave të transparencës të parashikuara në ligjin DSA. Komisioni thotë se shkeljet përfshijnë dizajnin mashtrues të shenjës blu të verifikimit, mungesën e transparencës në arkivat e reklamave dhe refuzimin për t’u ofruar studiuesve të dhëna publike. Procedimi ndaj X kishte nisur dy vjet më parë, por ishte pezulluar për të shmangur tensionet me SHBA-në. Kompania ka tre muaj kohë për t’u përgjigjur.
Reagimi amerikan ishte i ashpër. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e quajti gjobën “sulm ndaj platformave teknologjike amerikane”, ndërsa JD Vance akuzoi BE-në se po cenon lirinë e shprehjes. Komisioni Europian u kundërpërgjigj duke deklaruar se X ka shmangur përgjegjësitë e saj ndaj përdoruesve.
Ngjarja vjen në një moment tensionesh të rritura mes BE-së dhe SHBA-ve. Strategjia e re amerikane, e publikuar të njëjtën ditë, shihet në Bruksel si tentativë për të dobësuar BE-në dhe rolin e NATO-s. Burime europiane flasin për rrezik në raportet transatlantike, veçanërisht nën presidencën e Donald Trump. Edhe NATO e sheh planin amerikan si kërcënim për Aleancën, në kohën kur Europa përballet me luftën hibride dhe refuzimin e Putinit për negociata.
Zyrtarë europianë, përfshirë Gjermaninë dhe Francën, paralajmërojnë se kjo qasje amerikane mund të dëmtojë marrëdhëniet politike, ushtarake dhe tregtare, madje edhe bashkëpunimin për asetet e ngrira ruse dhe tarifat doganore.

