Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim që e cilësoi “tejet konstruktiv” me Jeremy Long, zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Gjatë takimit, Rama paraqiti vizionin e tij për zhvillimin e Prishtinës në katër vitet e ardhshme, duke vënë theksin te sfidat që, sipas tij, po e pengojnë funksionimin e rregullt të komunës — në veçanti bllokimi i buxhetit nga niveli qendror. Ai nënvizoi se kjo situatë po e ngadalëson realizimin e shumë projekteve të rëndësishme për qytetin.
Në diskutim u shtjellua edhe potenciali i kompanive amerikane për të investuar në Kryeqytet, sidomos në prag të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030. Rama theksoi se energjetika alternative dhe projektet e mëdha zhvillimore mbeten fusha ku partneritetet me investitorët nga SHBA-të mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë.
Kryetari bëri të ditur se Prishtina do të organizojë së shpejti një konferencë të posaçme për të prezantuar mundësitë investuese për kompanitë amerikane, me synim forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe hapjen e rrugës për projekte të reja transformuese në qytet.

