Martin Vulaj nga Shoqata për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane ka komentuar diskutimet e fundit në Senatin amerikan, ku pjesë e debatit ka qenë edhe situata në Kosovë. Sipas tij, interesi i ShBA-ve për rajonin është rikthyer, por Kosova mund të tërheqë vëmendje vetëm përmes temave që lidhen me sigurinë.
“Në radhë të parë, është pozitiv fakti që po zhvillohen seanca të reja për çështjen e Kosovës, edhe pse ato trajtojnë më gjerë Ballkanin. Megjithatë, siç u pa, fokusi kryesor mbetet zgjidhja e çështjes së Kosovës”, tha ai në Info Magazine të Klan Kosovës.
Vulaj theksoi se interesi amerikan për Ballkanin ka qenë i zbehur për një kohë të gjatë, por rikthimi i vëmendjes dëshmon rolin e rëndësishëm të Kosovës në stabilitetin e Evropës Juglindore.
Sipas tij, sfida kryesore sot është gjetja e mënyrave për të mbajtur Kosovën në agjendën amerikane, sidomos në një kohë kur po riformulohet rendi global. Ai vuri në dukje se mënyra më efektive për këtë është lidhja e interesave të përbashkëta me SHBA-në në fushën e sigurisë, e cila mbetet pika ku pozicionet e dy vendeve përputhen më së shumti.

