Në Zarë të Kroacisë shënohen Ditët e Kulturës dhe Rinisë Shqiptare

by Nexhat

Shoqata e Shqiptarëve të Qarkut të Zarës, në bashkëorganizim me Unionin e Shqiptarëve në Republikën e Kroacisë dhe me Këshillin e Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qarkut të Zarës, organizoi manifestimin “Ditët e Kulturës Shqiptare dhe Dita e Rinisë Shqiptare”, i cili u prit me pjesëmarrje shumë të madhe të bashkëqytetarëve tanë.

Ky interesim i gjerë edhe një herë dëshmon rëndësinë e shoqërimit, bashkëpunimit dhe ruajtjes së lidhjeve mes nesh.

banner

Dëshirojmë të theksojmë posaçërisht rëndësinë e ekspozitës së fotografive historike të paraardhësve tanë, nëpërmjet së cilës synuam të paraqesim kontributin që shqiptarët i kanë dhënë Republikës së Kroacisë përgjatë historisë. Kjo ekspozitë na rikujton detyrimin që kemi për të transmetuar traditën, identitetin dhe historinë tonë brez pas brezi sidomos te rinia jonë.

Nuk është rastësi që vendosëm t’i bashkojmë dy manifestime , “Ditët e Kulturës Shqiptare” dhe “Ditën e Rinisë Shqiptare”. Pikërisht kjo na mundësoi një program më të pasur, pjesëmarrje më të madhe dhe një lidhje edhe më të fortë ndërmjet brezit të vjetër dhe brezit të ri të komunitetit tonë.

Është me rëndësi të përmendet se prefekti i Qarkut të Zarës kërkoi falje që nuk mundi të ishte i pranishëm, por në vend të tij mori pjesë e ngarkuara e tij, znj. Milena Ikić, çka edhe një herë tregon se komuniteti shqiptar është i integruar në jetën shoqërore të këtij qarku.

Ne do të vazhdojmë në këtë drejtim edhe në të ardhmen, do të organizojmë sa më shumë manifestime. Siç e thekson shpesh edhe kryetari i Unionit, integrimi në shoqërinë kroate nuk duhet të nënkuptojë asimilim, dhe detyra jonë është ruajtja e identitetit tonë kombëtar. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme t’i inkurajojmë fëmijët tanë të ndjekin mësimin plotësues të gjuhës shqipe sipas programit C, i cili në Qarkun e Zarës ofrohet si në shkollat fillore ashtu edhe në ato të mesme shembull unik në Kroaci.

Me këtë rast përshëndesim edhe profesor Vesel Lekajn, i cili po punon me përkushtim të madh për ringjalljen dhe ruajtjen e gjuhës shqipe në të gjitha qarqet dalmatine. Unioni i Shqiptarëve të Kroacisë gjithmonë do të mbështesë iniciativa të tilla.

Kryetari i Unionit, i cili ndodhet në Zadar me ftesë të kryetarit Nikollë Prekpalaj me rastin e kësaj manifestimi, në fjalën e tij përshëndetëse shprehu nderin dhe kënaqësinë për qëndrimin në këtë trevë të bukur. Ai përshëndeti përfaqësuesen e prefektit, znj. Milena Ikić, veteranët e Luftës Atdhetare kroate që ishin të pranishëm në numër të madh, dhe në fund përgëzoi kryetarin Prekpalaj për angazhimin dhe organizimin e këtyre aktiviteteve.

U theksua gjithashtu se shqiptarët me krenari e festojnë Ditën e Flamurit, ditën kur Skënderbeu më 28 nëntor 1443 ngriti flamurin në Krujë – ditë që përfaqëson një nga simbolet më të rëndësishme të identitetit tonë kombëtar.

Në përfundim, kryetari njoftoi se “Ditët e Kulturës Shqiptare” mbyllen me manifestimin e fundit – Ditën e Rinisë Shqiptare, e cila do të mbahet më 13 dhjetor në hotelin Antunović, duke i ftuar të gjithë bashkëqytetarët të bashkohen me ne

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy