Pas disfatës ndaj Trepçës në xhiron e kaluar, GO+ Peja rikthehet me fitore bindëse, duke mundur Golden Eagle Yllin me 82:63 në “Karagaçi”.
Vetëm fillimi i ndeshjes u duk premtues për skuadrën vendase, por më pas pejanët morën kontrollin e lojës dhe nuk e lanë kundërshtarin të afronte. Në pjesën e parë, Peja krijoi epërsi prej shtatë pikësh (44:37), ndërsa çereku i tretë u fitua me 16:14, duke e rritur gradualisht avantazhin deri në fund të ndeshjes.
Me këtë fitore, Peja tani ka shtatë fitore dhe dy disfata, po aq sa Bashkimi, ndërsa Ylli regjistron disfatën e shtatë dhe mbetet me vetëm dy fitore.
Më i dalluari te Peja ishte Tajh Green, i cili arriti dyshifror të dyfishtë me 15 pikë, 17 kërcime dhe një asistim. Jordan Johnson kontribuoi me 16 pikë, gjashtë asistime dhe tri kërcime, ndërsa Musab Mala dhe Arti Hajdari shtuan përkatësisht 16 dhe 10 pikë. Kapiteni Dardan Berisha e përfundoi ndeshjen me nëntë pikë.
Te Golden Eagle Ylli, më i dalluari ishte Trevon Allen me 20 pikë, pesë kërcime dhe dy asistime

