Europe Magazine, duke iu referuar renditjes së fundit të “Reporterët pa Kufij”, shkruan se si Norvegjia, Estonia, Holanda, Suedia, Finlanda dhe Danimarka kryesojnë listën si shembuj për ofrimin e mbrojtjes së fortë ligjore për gazetarët dhe mjedisin e favorshëm mediatik. Kosova përmendet si një prej vendeve ku liria e medias mbetet e cenueshme.
Për këtë ka reaguar Vlora Çitaku nga PDK.
Ajo ka thënë se liria ose është e plotë në çdo dimension ose nuk ka liri fare dhe shton se nuk mund të ketë liri politike pa fjalë të lirë e pa media të lira.
“Liria ose është e plotë, në çdo dimension, ose nuk ka liri fare. Nuk mund të ketë liri politike pa fjalë të lirë. Pa media të lira.”
Çitaku thotë se ka pasur fushata linçuese e të sinkornizuara kundër mediave e gazetarëve.
“Kemi qenë dëshmitarë të fushatave linçuese e të sinkronizuara kundër mediave dhe gazetarëve; përpjekjeve për frikësim e presion; kërcënimeve që jo rrallë kanë përfunduar edhe në dhunë. Por kësaj mendësie që ka mbjellë farën e dyshimit, sharjes dhe mohimit, po i vjen fundi. Mediat e lira dhe gazetarët kanë mbajtur gjallë pluralizmin dhe demokracinë. Kanë ekspozuar padrejtësitë, skandalet dhe abuzimet. Të palëkundur dhe të pafrikësuar.”

