Sindikata e Re e KEK-ut ka njoftuar se më 12 dhjetor 2025, në ora 11:00, punëtorët do të dalin në protestë para selisë së korporatës në Prishtinë, duke kërkuar trajtim të drejtë dhe kushte dinjitoze pune. Vendimi është miratuar nga kryesia e sindikatës, e cila thotë se kërkesat janë urgjente dhe të pashmangshme për mirëqenien e punëtorëve.
Protesta synon të vërë në qendër të vëmendjes tri kërkesa kryesore:
Rritjen e pagave në përputhje me tregun, inflacionin dhe natyrën e rrezikshme të punës;
Nivelizimin e pagave të sigurimit fizik, që të barazohen me punëtorët tjerë të KEK-ut nga 1 janari 2026;
Zbatimin e pagës së 13-të, premtim që, sipas sindikatës, është dhënë edhe për sektorin publik.
Sindikata thekson se punëtorët e KEK-ut mbajnë mbi supe një sektor jetik për funksionimin e shtetit dhe se nuk mund të vazhdojnë të trajtohen me standarde më të ulëta se pjesa tjetër e punonjësve publikë.
“Kërkesat tona janë të ligjshme, të arsyeshme dhe thelbësore për dinjitetin e punëtorëve,” thuhet në njoftim, duke ftuar të gjithë të punësuarit që të bashkohen në protestë.
Demonstrata pritet të mbahet para zyrave të KEK-ut, ku organizatorët shpresojnë të shfaqin vendosmërinë e punëtorëve për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe për të kërkuar respekt institucional.

