Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Enkel Rexhepi, ka reaguar të hënën pas publikimit të raportit të Komitetit të Ekspertëve të Kartës Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave, duke thënë se ky dokument ndërkombëtar vulos të gjitha vërejtjet që Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ngritur prej vitesh për moszbatimin e të drejtave gjuhësore të shqiptarëve në Serbi.
Sipas Rexhepit, raporti konstaton qartë se gjuha shqipe, edhe pse me status zyrtar në komunat me popullsi shqiptare, vazhdon të mos funksionojë në praktikë.
Institucionet shtetërore serbe, thuhet në dokumentin evropian, “nuk ofrojnë dokumente, formularë, platforma digjitale, tabela informuese apo komunikim zyrtar në gjuhën shqipe, ndërsa mungesa e stafit dygjuhësh vetëm sa thellon diskriminimin”.

