FBI, ADN-ja dhe gjurmët në çizme zbulojnë organizatorët e sulmit në Ibër-Lepenc

by engel

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave të dyshuar për organizimin e sulmit terrorist mbi kanalin e Ibër-Lepencit, sulm që rrezikoi furnizimin me ujë të qytetarëve dhe të Korporatës Energjetike të Kosovës. Të akuzuarit – Jovan Viçentijeviq, Dragisha Viçentijeviq dhe Igor Dimoviq – ngarkohen për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së shtetit.

Sipas aktakuzës së siguruar nga gazeta Nacionale, sulmi i 29 nëntorit 2024 ndodhi rreth orës 18:50, në fshatin Varagë të Zubin Potokut. Të pandehurit, në bashkëpunim me persona të tjerë, vendosën një sasi të konsiderueshme eksplozivi ushtarak brenda kanalit të Ibër-Lepencit, duke përdorur një çantë të lidhur me litar në një shtyllë betoni. Shpërthimi shkaktoi një dëm prej 376 mijë eurosh dhe ndërpreu furnizimin me ujë për KEK-un, duke rrezikuar prodhimin e energjisë elektrike në nivel vendi.

banner

Provat shkencore që i fundosën të akuzuarit

Një pjesë kyçe e aktakuzës mbështetet në analiza të avancuara shkencore të realizuara nga FBI-ja dhe laboratore ndërkombëtare të forenzikës.

Raporti i FBI-së tregon se mostra e dheut të marrë nga çizmet e Jovan dhe Dragisha Viçentijeviqit përputhet plotësisht me tokën e gjetur në vendngjarje. Prokuroria ka theksuar se nuk ekziston asnjë dallim në strukturë, ngjyrë apo përbërje, duke ndërlidhur direkt të pandehurit me vendin e sulmit.

Përveç kësaj, prova të forta ADN-je lidhin Jovan Viçentijeviqin me një fitil ndezës prej 9.2 metrash, të gjetur në vendngjarje. Nga 24 lokuse të analizuara, 20 përputheshin plotësisht me profilin e tij, rezultat i konfirmuar nga ekspertët e policisë shkencore italiane në Romë. Sipas aktakuzës, kjo ofron mbështetje të jashtëzakonshme statistikore për përfshirjen e tij direkte në vendosjen e eksplozivit.

Akuza shtesë për spiunazh ndaj Jovan Viçentijeviqit

Përveç akuzave për terrorizëm, Jovan Viçentijeviq ngarkohet edhe me veprën e spiunazhit. Sipas Prokurorisë, ai vepronte si kolonel i rekrutuar i Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë. Aktivitetet e tij të dokumentuara përfshijnë mbledhjen e informacioneve të klasifikuara, përfshirë një dokument konfidencial 66-faqësh, vëzhgimin e lëvizjeve të ushtarëve amerikanë të KFOR-it dhe fotografimin e bazës së Njësisë Speciale në Jasenovik.

Në aktakuzë përfshihet edhe përpjekja e tij për të krijuar një narrativë të rreme duke trilluar ekzistencën e një organizate fiktive shqiptare me qëllim njollosjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Lidhja me sulmin terrorist në Banjskë

Hetime të mëtejshme kanë zbuluar se pajisjet elektronike të të pandehurit përmbanin komunikime që e lidhin atë me grupin e përfshirë në sulmin në Banjskë të shtatorit 2023. Ai administronte një grup në Facebook me shtatë anëtarë, ku bënte pjesë edhe Zhivko Jaksiç, i cili sipas aktakuzës ishte i pranishëm në Banjskë ditën e sulmit.

Më 24 shtator 2023, në orën 11:56, Viçentijeviq kishte pranuar përmes Google Maps një lokacion me qëllim ndihmën e Jaksiçit për t’u larguar nga zona e rrethuar.

Paralajmërimi i sulmit në Telegram

Dokumenti i Prokurorisë zbulon se sulmi në Ibër-Lepenc ishte paralajmëruar edhe në një grup në Telegram rreth 17 deri në 18 orë para shpërthimit. Mesazhi kërcënues që qarkulloi aty kishte përmbajtje të qartë terroriste:

“Do të jetë sërish ferr dhe Ibër i përgjakur, kur të zbresin ujqërit nga bjeshkët Serbe.”

Aktakuza e rëndë ndaj tre të pandehurve pritet të trajtohet në Gjykatën Speciale, ndërsa provat shkencore të prezantuara konsiderohen ndër më të fortat të përdorura ndonjëherë në një rast të këtij lloji në Kosovë.

banner

Të ngjajshme

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy